E keqja duhet shkulur nga rrënjët, studentët t`i prijnë popullit në shesh

 

Nga Dr. Albano ZHAPAJ

U deshën vetëm pak ditë proteste studentore për të kuptuar se pushteti ka frikë, ka frikë nga e tashmja, ka frikë nga ky brez i ri që po ngrihet, nga këta të rinj e të reja që nuk e shohin më të ardhmen e tyre jetëgjatë, se jo tek mendimi i lirë, tek arsimi publik cilësor, tek ndërtimi i punës, jetës, familjes, të ardhmes dhe lumturisë në vendin e tyre, në këtë vend ku janë lindur e rritur .

Në gjithë këto vite arrogance të këtij pushteti, qeveria i është trembur gjithmonë faktit se rinia mund të iluminohet, të mendojë me mendjen e vet dhe të besojë tek forca e saj dhe të ngrihet e të kërkojë të drejtat e saj, të ardhmen e saj, dhe kur ngrihet rinia fundi i pushtetit kësisoj dihet.

Ajo që partia pushtet ka bërë deri më sot është se të rinjtë i ka trajtuar vetëm si numra, i ka përdorur ata që nga prapa tryezës së politikës, gjithë ato herë që i janë dashur si për të votuar, ashtu edhe për t`u bërë pjesë e të ashtuquajturës bashkëqeverisje, e cila në thelb ka pasur takimet masive të të rinjve,  ku vetëm festohej dhe haheshin qofte,  me mungesë të theksuar të bashkëbisedimit qytetar.

Çdo përpjekje e sotme e partisë pushtet, e cila ka pas mundur t`i sigurojë jetëgjatësinë pesë vjeçare në pushtet ka qenë e përqendruar tek kontrolli i arsimit, tek mjetet e komunikimit, institucionet ekonomike, duke menaxhuar kështu jetën politike dhe shoqërore, duke pushtuar shoqërinë, dhe duke mbytur autonominë e saj.

Një totalitarizëm i tillë nuk mund të ishte veçse produkt i një udhëzuesi të përbashkët midis partisë pushtet dhe liderit të saj  “karizmatik”, të cilët duket se ja dolën të krijojnë një kaos në arsim, të manipulojnë rininë, të shkatërrojnë boshtin e vlerave tradicionale e kulturore, të propagandojnë vetëm sukseset dhe të fshehin lajmet e këqija, dhe në disa aspekte duke operuar një shpëlarje truri të masës me arritjet imagjinare të “Arsimit të gjeneratës tjetër”.

Fatmirësisht rinia u zgjua, u rimëkëmb dhe po tregon prej mëse shtatë ditësh që nuk është dakord me këtë qeveri, me politikat e saj arsimore, me vjedhjet e vazhdueshme që i bëhen buxhetit të familjeve të studentëve, dhe pse jo vjedhjes që i ka bërë e po i bën të ardhmes së të rinjve.

Reforma në arsimin e lartë ka dështuar në mënyrën më spektakolare të mundshme, dhe këtë e di mirë çdo student, çdo intelektual shqiptar, çdo institucion i arsimit të lartë në vend, e di mirë qeveria, e dinë akoma më mirë anëtarët e ish komisionit të hartimit të reformës dhe ligjit të arsimit të lartë që u premtuan me poste nga qeveria, ashtu siç e dinë mirë të gjitha ato familje shqiptare që kanë nga një ose më shumë fëmijë që frekuentojnë universitetin, dhe ato familje të tjera që skanë mundur dot t`i çojnë fëmijët në universitet, për shkak të procedurave korruptive apo tarifave të papërballueshme.

Maturantët, familjet e tyre vuajtën mbi shpatullat e tyre skemat ogurzeza të pranimeve në universitet,  ku pushteti  për pesë vjet me radhë shiti dhe dha me koncesion të ardhmen arsimore të maturantëve, duke i futur ata me detyrim në universitetet private, me arsyen e vetme të përfitimit korruptiv nëpërmjet  furnizimit me studentë të universiteteve private.

Është pikërisht  koha që të përfundojë njëherë e mirë kjo periudhë e marrëzisë pushtetare, periudhë e përfitimit të përvitshëm nga shitja e së ardhmes së të rinjve shqiptarë tek koncesionet private të arsimit, periudhë e cila do të mbahet mend si epoka e shoqërisë së errësirës në Shqipëri, pasi konvertoi në plaçkë tregu edukimin, arsimin dhe të ardhmen e rinisë së vendit. Është koha që kjo e keqe të shkulet me rrënjë.

Studentët kanë kuptuar se kriza e sotme në arsim ka zbuluar fytyrën dhe natyrën e vërtetë të këtij pushtetit. Shkatërrimi i arsimit ka pasur synim shkatërrimin e formimit dhe zhvillimit individual të të rinjve dhe shndërrimin e tyre në një turmë që jo vetëm nuk mendon e prodhon ide, por që të bindet verbërisht partisë pushtet në gjoja të mirën e demokracisë dhe të të bërit shtet.

Kjo e keqe e madhe që ka pushtuar Shqipërinë gjendet si degë në çdo institucion publik, por rrënjët e saj i ka tek qeveria dhe kreu i saj, dhe për të ndaluar përhapjen e kësaj të keqeje, duhet ta shkulim nga rrënjët, prandaj është koha që rinia t`i prijë popullit në bulevard, pikërisht aty ku ka rrënjët e keqja. Rrënimi i arsimit është rrënimi i Shqipërisë, zgjimi i ndërgjegjes së rinisë duhet të bëjë që gropa e hapur në arsim, të përpijë të parët ata që e hapën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *