Studentët sërish në protestë, qëllojnë me vezë Ministrinë e Arsimit/ Tetë kërkesat për Lindita Nikollën

Studentët po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Kjo është dita e pestë, por ndryshe nga dje dhe pardje, sot protesta është tkurrur, pasi një pjesë e studentëve janë larguar në qytetet e tyre, pasi deri martën janë pushim. Në rrethe sot po protestohet vetëm në Shkodër, ndërsa studentët në Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Durrës kanë paralajmëruar se do të rikthehen të martën. Studentët fillimisht kishin vetëm katër kërkesa, ndërsa dje e çuan në tetë numrin e kushteve për ministren Lindita Nikolla. Studentët janë shprehur se pa përmbushjen e kërkesave nuk do ndërpresin protestën, ndërsa i kanë bërë thirrje politikës që të mos tentojë të bashkohet me tubimin. Sot është data 8 dhjetor, Dita e Rinisë, e vendosur me një vendim të 2009 të Kuvendit për të kujtuar studentët e Dhjetorit të 1990. E ndërsa kanë kaluar 28 vite nga ajo ditë, studentët sot kjo datë i gjen në protestë, pasi kërkojnë mbi të gjithë përgjysmimin e tarifave të studimit.

Kërkesat e para të studentëve

  1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit u shfuqizua nga qeveria)
  2. Përgjysmimi i tarifës së studimit. (grup pune për të negociuar)
  3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve. (grup pune për të negociuar)
  4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. (grup pune për të negociuar)

Tetë kërkesat e Këshillit Studentor që iu dërguan dje ministres Nikolla (lexo këtu)

Përgjysmim i tarifës së studimit

Rritje në 50% e votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve

Në bordin e administrimit të shtohet përfaqësi e studentëve

Mbështetja e studentëve për kërkime shkencore

Mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde

Përmirësim i kushteve të konvikteve

Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë

Pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-19

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *